Pyetje të shpeshta
Blerja, leximi, llogaria dhe botimi në Kolibër.
Blerja
Si blihet një libër?
Hapni faqen e librit dhe shtypni “Bli”. Për disa libra njëherësh, shtojini me “Shto në shportë” dhe paguajini bashkë te Shporta. Libri del në Bibliotekën tuaj sapo kalon pagesa. Librat falas i merrni me “Shto në bibliotekë”.
Si paguhet?
Me kartë Visa, Visa Electron, Mastercard ose Maestro, në faqen e pagesës së POK, ofruesit tonë të pagesave. Të dhënat e kartës i shkruani te POK: ne nuk i shohim dhe nuk i ruajmë.
Në çfarë monedhe paguaj?
Në monedhën në të cilën botuesi ka vendosur çmimin. Nga menyja e llogarisë mund ta shihni çmimin edhe në lekë, euro ose dollarë. Kjo vlerë është e përafërt.
Pse nuk mund të blej në aplikacion?
Aplikacionet Kolibër shërbejnë për lexim. Librat blihen këtu, në koliber.al, dhe çdo libër që merrni del vetë në bibliotekën e aplikacionit, sapo të hyni me të njëjtën llogari.
Pagesa kaloi, por libri nuk duket.
Nëse lidhja u ndërpre gjatë pagesës, e verifikojmë vetë pagesën me POK dhe libri shtohet në Bibliotekë brenda pak minutash. Nëse nuk shtohet, hapni një kërkesë për ndihmë dhe shkruani kur keni paguar.
A mund ta dhuroj një libër?
Po, çdo libër me pagesë. Në faqen e librit shtypni “Dhuro”, shkruani emailin e marrësit dhe, po të doni, një mesazh. Pasi të paguani, marrësi merr një email me lidhjen për ta marrë librin në llogarinë e vet. Ka 90 ditë kohë dhe i dërgojmë edhe një kujtesë.
A kthehen paratë?
Blerjet janë përfundimtare, siç thuhet te Kushtet. Nëse një libër nuk hapet ose ka gabime, hapni një kërkesë për ndihmë dhe do ta shqyrtojmë.
Leximi
Ku mund t’i lexoj librat?
Në aplikacionin Kolibër për iOS dhe Android, në kompjuter me Thorium Reader (Windows, macOS dhe Linux) dhe në lexuesit elektronikë PocketBook. Në shfletues lexohen vetëm fragmentet.
Si i lexoj në kompjuter?
Instaloni Thorium Reader. Pastaj te Cilësimet, te “Leximi në kompjuter”, shtypni “Shto në Thorium”. Thorium ju kërkon të hyni në Kolibër një herë dhe librat tuaj dalin te katalogu i tij.
Çfarë është fjalëkalimi i librave?
Librat mbrohen me Readium LCP. Aplikacionet Kolibër i hapin vetë, kurse Thorium dhe lexuesit elektronikë kërkojnë një fjalëkalim. Nëse jeni regjistruar me email, si fillim është fjalëkalimi i hyrjes. Nëse hyni me Google ose Apple, vendoseni vetë te Cilësimet, te “Fjalëkalimi i librave”.
Si e dërgoj një libër te PocketBook?
Te Cilësimet, te “Lexuesi elektronik”, shkruani adresën tuaj Send-to-PocketBook. Në PocketBook shtoni no-reply@koliber.al te dërguesit e besuar (Cilësimet, Llogaritë dhe sinkronizimi, Send-to-PocketBook). Pastaj te Biblioteka shtypni “Dërgo te lexuesi”.
A lexohen librat pa internet?
Po. Libri që keni hapur një herë në aplikacion mbetet në pajisje dhe lexohet edhe pa lidhje. Edhe në Thorium e në PocketBook libri është në pajisje.
A ruhet faqja ku mbeta?
Po. Faqja, nënvizimet, shënimet dhe faqeshënuesit ruhen në llogarinë tuaj dhe ju presin në çdo pajisje ku hyni me aplikacionin Kolibër. Me Thorium, shënimet i shkarkoni dhe i ngarkoni si skedar te Biblioteka: hapni librin dhe zgjidhni “Shkarko shënimet” ose “Ngarko shënimet”.
Po kur del një botim i ri i librit?
E merrni vetë, pa paguar përsëri. Nënvizimet, shënimet dhe faqja ku keni mbetur kalojnë në botimin e ri.
A mund ta lexoj një pjesë para se ta blej?
Po, kur botuesi ka përgatitur një fragment: në faqen e librit shtypni “Lexo një fragment”.
Llogaria
Si krijoj një llogari?
Regjistrohuni me email ose hyni drejtpërdrejt me Google ose Apple. E njëjta llogari vlen në faqe, në aplikacione dhe në Thorium.
Kam harruar fjalëkalimin.
Te faqja e hyrjes shtypni “Ke harruar fjalëkalimin?” dhe ju dërgojmë një lidhje për ta rivendosur. Nëse llogarinë e keni krijuar me Google ose Apple, hyni përsëri me të njëjtin shërbim.
Si ndryshoj gjuhën ose pamjen?
Nga menyja e llogarisë: shqip ose anglisht, pamje e çelët ose e errët, monedha e çmimeve. Te Cilësimet pamja mund të ndjekë edhe sistemin.
Si e fshij llogarinë?
Te faqja e fshirjes së llogarisë. Fshirja e llogarisë dhe e të dhënave të saj është e përhershme.
Si ju kontaktoj?
Hapni një kërkesë për ndihmë dhe ndiqni përgjigjet aty, ose na shkruani te info@koliber.al.
Klasikët
Pse disa libra janë falas?
Janë klasikë të letërsisë shqipe në domen publik. I transkriptojmë nga skanimet e Bibliotekës Kombëtare, i korrigjojmë dhe i botojmë si libra elektronikë, falas për këdo.
Si mund të ndihmoj?
Te digjitalizim.koliber.al hyni me llogarinë tuaj Kolibër, pranoni marrëveshjen e kontributit dhe korrigjoni faqet e transkriptuara duke i krahasuar me skanimin.
Për autorët dhe botuesit
Jam autor. A mund ta botoj librin tim në Kolibër?
Po, edhe pa botues. Nëse e keni botuar librin më parë dhe të drejtat për botim i keni ju, na shkruani te info@koliber.al. Ju hapim një llogari në botues.koliber.al, ku mund të ngarkoni librin si EPUB, t’i vendosni çmimin dhe të ndiqni shitjet. Nëse librin nuk e keni në formatin EPUB, ju ndihmojmë ta konvertoni.
Jam botues. Si i sjell librat?
Na shkruani te info@koliber.al. Ju hapim një llogari botuesi në botues.koliber.al, ku ngarkoni librat si EPUB, vendosni çmimet dhe shihni shitjet e shkarkimet. Nëse librat nuk i keni në formatin EPUB, ju ndihmojmë t’i konvertoni.
Si mbrohen librat që shes?
Me Readium LCP, standardin e hapur të mbrojtjes së librave elektronikë. Çdo kopje e blerë mban edhe një shenjë të padukshme që tregon blerësin. Librat lexohen vetëm në aplikacionet Kolibër, në Thorium dhe në lexuesit që hapin LCP.