
Biografia
Mihal Grameno lindi në Korçë në vitin 1871, në një familje tregtarësh ortodoksë. Më 1885 emigroi në Rumani dhe më 1889 u bë sekretar i shoqërisë “Drita” në Bukuresht. Më 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit, si luftëtar dhe si shkrimtar i saj. Më 1908 përfaqësoi klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 themeloi në Korçë shoqërinë “Lidhja Orthodokse”, gazetën e së cilës e drejtoi vetë. Nga viti 1911 nxori gazetën Koha, që vazhdoi të dalë edhe në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi nga viti 1915 deri më 1919.
Shkroi komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905), tragjedinë Vdekja e Pirros (1906), novelat Oxhaku dhe E puthura (1909) dhe vjersha. Te Kryengritja shqiptare (1925) tregoi kujtimet e veta nga lufta e çetave. Vdiq në Korçë më 1931.