
Biografia
Gjergj Fishta lindi në Fishtë të Zadrimës në vitin 1871 dhe u pagëzua Zef. Emrin Gjergj e mori kur hyri në urdhrin françeskan. Pas shkollave në Troshan dhe në Shkodër, studioi në Bosnjë dhe u shugurua meshtar më 1894. Më 1902 u bë drejtor i shkollave françeskane dhe futi shqipen si gjuhë mësimi në vend të italishtes. Më 1908 drejtoi komisionin e alfabetit në Kongresin e Manastirit.
Më 1913 themeloi revistën Hylli i Dritës, më 1919 ishte sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe më 1921 deputet i Shkodrës. Vepra e tij kryesore, poema epike Lahuta e Malcis, doli pjesë-pjesë që nga viti 1905. Botimi përfundimtar, me tridhjetë këngë, doli më 1937. Vdiq në Shkodër më 1940. Në vitet e komunizmit vepra e tij u ndalua.