
Biografia
Naim Frashëri lindi në Frashër në vitin 1846, vëlla i Abdylit dhe i Samiut. Në teqenë bektashiane të Frashërit mësoi turqisht, arabisht dhe persisht, kurse në gjimnazin Zosimea të Janinës mori një shkollim klasik. Shërbeu si nëpunës osman në Berat dhe në Sarandë, më 1882 u vendos në Stamboll dhe punoi në ministrinë e arsimit. Ishte ndër themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879).
Shkroi në turqisht, në persisht, në greqisht dhe mbi të gjitha në shqip: pesëmbëdhjetë vepra. Kryesoret, të gjitha të botuara në Bukuresht, janë Bagëti e bujqësija (1886), Luletë e verësë (1890), Istori e Skënderbeut (1898) dhe Qerbelaja (1898). Vdiq në Stamboll më 1900 dhe eshtrat iu sollën në Shqipëri më 1937. Mbahet poeti kombëtar i shqiptarëve.
